Ushqimi Stimulues Vjeshtor

Shoqëritë e bletëve ushqehen nga fillimi i gushtit deri në fund të shtatorit. Por, unë e rekomandoj nga 15 gushti deri më 25 shtator dhe e quaj “ushqim stimulues veror”, sepse kjo periudhë kohore i përket stinës së verës. Të tjerët e quajnë ushqim stimulues vjeshtor.

 
Shoqëritë e bletëve ushqehen me sherbet sheqeri në koncenctracion 1:1 (sheqer:ujë), kurse gjatë shtatorit: 1.5 kg sheqer :1 litër ujë ose 2:1 (sheqer:ujë). Uji nuk ka nevojë të vlohet. Sheqeri hidhet në ujë të vakët dhe përzihet derisa të shkrihet plotësisht..
 

Ushqimi më i përshtatshëm është ai i mjaltit të akacies (bagrenit), i mjaltit të livadheve, kurse mjalti i kolzës, i lulediellit dhe mjalca i dëmtojnë shumë bletët, sepse këto lloje të mjaltit shkaktojnë diarenë (barkqitjen) dhe kapsllëkun te bletët. Sherbeti me mjaltë pëgatitet në koncentracion 1 kg mjaltë : 3 litra ujë. Temperatura e ujit nuk duhet të jetë mbi 42°C. Ky sherbet u jepet bletëve në mbrëmje nga 250-300 gr për shoqëri. Patjetër duhet të përdoren barërat: forsapin, fumagulin dhe nozicid. Barërat përdoren sipas udhëzimeve të prodhuesve.

Ushqimi i shoqërive të bletëve në këtë periudhë kohore bëhet për këto qëllime:

1 Bletët e zbërthejnë sherbetin në mjaltë dhe e deponojnë instinktivisht aty ku atyre u përshtatet si ushqim rezervë për dimërim, por edhe, sepse është më i lehtë për t’u tretur;
2 Bletët, kur e marrin këtë ushqim, nuk do ta hetojnë pakësimin e nektarit dhe të polenit në natyrë, por do ta nxisin amën (mëmën, matkën, amzën, mbretëreshën) që të mos e zvogëlojë intensitetin e lëshimit të vezëve;
3 Bletët do të angazhohen maksimalisht në zbërthimin e shërbetit në mjaltë, por edhe në punë të tjera brenda zgjoit. Bletët që angazhohen për t’i kryer këto punë do të dërmohen dhe do të amortizohen më herët, prandaj shumica e tyre do të vdesin jashtë kosheres, gjatë muajve shtator, tetor dhe nëntor. Kështu do t’u lehtësohet puna bletëve të rejera, të çelura gjatë muajve gusht, shtator dhe në gjysmën e parë të tetorit, për t’i nxjerrë jashtë bletët e vdekura, të cilat bëhen shkaktare e smundjeve të bletëve. Me vdekjen e bletëve jashtë zgjoit, lagështia dhe myku do të pakësohen;
4 Bletët e çelura gjatë muajit gusht, shtatorit dhe gjysmës se parë të tetorit do të kursehen më shumë në këtë proces, do të jenë më vitale, më të shëndosha dhe më të afta për përkujdesjen dhe zhvillimiin e gjeneratave të reja, gjatë muajve janar, shkurt, mars etj., Pra do të ketë numër më të madh bletësh në koshere.
5 Bashkë me ushqimin, përdoren edhe barërat: fumagulin, nozicidin etj., të cilat do t’i mbrojnë bletët nga sëmundje të ndryshme, kurse forsapini do të ndikojë shumë në shtimin e plleshmërisë në shoqëri.
6. Vlen të theksohet se bletët gjatë kësaj periudhe angazhohen me të madhe në mbledhjen e ushqimit të ashtuquajtur mjalcë nga dardhat, kumbullat, rrushi, manaferrat veçanërisht shalqini etj. Te ne me të madhe përgatitet ashaf nga kumbullat, dardhat e mollat që bletët janë shumë të angazhuara në thithjen e sheqernave nga këto që u përmenden më parë. Kjo mjalcë është shumë e dëmshme për bletë, por me ushqimin stimulues me sherbet sheqeri përkatësisht gjatë muajit gusht dhe shtator, bletët do t'a zvogëlojnë përqindjen e mjalcës në ushqim. Prandaj ushqimi i pregatitur për dimërim është më i lehtë për ta përdorur si ushqim gjatë stinës së dimrit dhe se efekti do të jetë më i devotshëm.Sasia e ushqimit të bletëve në këtë kohë duhet të jetë afro 6-7 kg për një shoqëri, por kjo varet edhe nga sasia që ka deponuar shoqëria më herët. Vlenë të theksohet se bletërritësit duhet të kenë kujdes të veçantë që të mos lejojnë të paraqitet prerja. Që të mos vijë deri te paraqitja e prerjes, kosheret duhet të kontrollohen detajisht, se mos kanë ndonjë të çarë; të mos derdhet sherbeti në koshere apo afër kosheres; të mos ketë grimca dylli në mjaltë etj. Duhet siguruar krehër për çdo shoqëri, siç shihet në fig. 1. që është mjaft i sigurt për mbrojtjen e bletëve nga bletët plaçkitëse në bletore a të bletoreve të tjera afër.

Më poshtë po shënojmë strukturën e vdekshmërisë së bletëve në shoqëritë e bletëve:

 

1 Bletët e çelura para një gushtit, do me thënë më herët, do tëvdesin rreth 61%;

 

2 Bletët që çelen gjatë gjysmës së dytë të gushtit dhe gjatë shtatorit, do të vdesin rreth 12%;

 

3 Bletët e çelura gjatë gjysmës së parë të gushtit, do të vdesin rreth 18%;

 

4 Bletët e çelura gjatë tetorit, do të vdesin rreth 30%.

 

Kjo përqindje është marrë nga literatura e huaj. Nga shënimet e cekura më lart, del se ushqimi stimulues vjeshtor a veror, quajeni si të doni, është shumë i rëndësishëm për arritjen e rezultateve më të larta në bletarinë tonë.

Fig.1.

Krehëri i tillë mund të blehet, por edhe mund të përgatitet vetë. Llamarina prehet me gërshërë, ndërsa vrimat shpohen me gozhdë me d. 2.5mm.

You are viewing the text version of this site.

To view the full version please install the Adobe Flash Player and ensure your web browser has JavaScript enabled.

Need help? check the requirements page.


Get Flash Player